Thursday, March 19, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREErvis Kraja: Elbasani rivali i vetëm, por titulli do të vijë në...

Ervis Kraja: Elbasani rivali i vetëm, por titulli do të vijë në Shkodër

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë për disa ndeshje, Ervis Kraja ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Nga Australia ku jeton prej disa vitesh, ish-mbrojtësi nuk i humbet kurrë ndeshjet dhe zhvillimet rreth kuqebluve. E pikërisht këtu është ndalur shkodrani, duke analizuar situatën që po kalojnë kuqeblutë.

Teksa e shikon si totalisht në rrugën e duhur ekipin e Martinit, duke theksuar se rezultatet e fundit nuk janë aspak ndalesa. Ndër të tjera ai veçon edhe kundërshtarin më të fortë që do kenë 9 herë kampionët e vendit në garën për titull, si edhe besimin e tij se në fund do jetë Vllaznia ajo që do festojë.

Kraja, një barazim me Egnatian për Vllazninë, rezultat i mirë?

Ndeshja me Egnatian ishte një rezultat pozitiv për ekipin tonë. Me pak më shumë kujdes dhe përqendrim në momentet vendimtare, besoj se mund ta kishim fituar atë takim. Kundërshtari ishte nën presion dhe kjo dukej qartë në lojën e tyre, ndaj ishte një mundësi e mirë për të marrë maksimumin e pikëve. Megjithatë, edhe barazimi mbetet një rezultat i pranueshëm duke parë rrethanat e ndeshjes.

Mund të tentonte diçka më tepër skuadra në momentet kur ishte në avantazh numerik?

Pas kartonëve që morën kundërshtarët, ne patëm shanset tona për të përfituar nga epërsia numerike. Trajneri Martini bëri maksimumin për ta shtyrë ekipin drejt fitores, duke kërkuar më shumë sulm dhe intensitet. Megjithatë, dukej se edhe barazimi nuk ishte një rezultat i papranueshëm për të, pasi një humbje do të kishte qenë shumë e dëmshme për ekipin tonë. Egnatia tregoi se ka disa probleme në lojën e saj dhe mendoj se do të gabojë shpesh në vazhdim. Për mendimin tim, rivali ynë direkt për objektivat e sezonit mbetet vetëm Elbasani.

Çfarë ndoshta duhet të ndryshojë ekipi për javët që vijojnë?

Në këtë fazë të kampionatit nuk mendoj se ka vend për ndryshime të mëdha. Ajo që ka më shumë rëndësi është që skuadra të qëndrojë e përqendruar dhe e bashkuar për ndeshjen e radhës. Duhet të punohet me seriozitet maksimal dhe të synohet një fitore e bukur, e cila do të rriste edhe më shumë besimin brenda ekipit.

E shikon shqetësuese për Vllazninë dëmtimin e Kastratit?

Mungesat janë gjithmonë të rëndësishme për çdo skuadër, por mendoj se trajneri Martini ka ndërtuar një ekip të fortë në aspektin e grupit. Çdo lojtar që zbret në fushë jep maksimumin e tij, duke treguar përkushtim dhe përgjegjësi. Kjo e bën ekipin tonë shumë kompakt dhe të vështirë për t’u mposhtur, pavarësisht mungesave individuale.

Po forcohet shumë gara në këto momente ku tashmë ka hyrë sezoni?

Në përgjithësi, gara është bërë shumë e fortë dhe konkurrenca është rritur ndjeshëm. Megjithatë, ekipi ynë po e tregon veten si një skuadër e ndërtuar për të qenë në krye të klasifikimit deri në fund të kampionatit. Duke parë punën e palodhur të trajnerit Martini dhe përkushtimin e të gjithë futbollistëve, besoj dhe shpresoj që këtë vit do të arrijmë të shpallemi kampionë. Duhet të besojmë të gjithë te ky ekip.

Besoni ende absolutisht tek titulli kampion?

Po, besoj shumë edhe nëse ekipi nuk do ishte në këtë gjendje shumë pozitive siç është tani sërish do besoja. Sepse jemi shkodranë e Vllaznia është krenaria jonë, sidomos për ne që edhe kemi luajtur e derdhur djersë për atë fanellë. Por, duke lënë mënjanë euforinë, unë besoj shumë sepse për mua dhe ashtu siç e shoh unë futbollin, kuqeblutë kanë ekipin më të mirë dhe kompletuar në kampionat. E ky duhet të jetë sezoni i duhur për rikthimin e titullit pas 25 vitesh mungesë.

Si e analizon dhe parashikon duelin e kësaj fundjave në kampionat kundër Dinamos?

Ndeshja e radhës me Dinamon e shoh si një tjetër finale për ne. Është një përballje shumë e rëndësishme dhe mendoj se në fund Vllaznia do të arrijë të fitojë me një rezultat të pastër, duke dhënë një tjetër sinjal të fortë për objektivat e saj

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments