Janë luajtur sot dy ndeshjet e para të javës së 11 të “Abissnet Superiore“-s. Erzeni nuk thyhet as nga Kastrioti, teksa skuadrat janë ndarë në barazim 1-1. Krutanët gjetën golin e avantazhit shumë shpejt. Bedri Greca e dërgon topin në rrjetë që në minutën e 7, por në pjesën e dytë të takimit Erzeni kthen sërish baraspeshën. Nonato rrotullohet bukur në zonë dhe goditja e tij mposht portierin Sali. Skuadrat largohen me nga një pikë nga stadiumi, çka e mban ekipin shijakas në vendin e tretë të renditjes.

Në krahun tjetër, Teuta ka dështuar të fitojë edhe nda Bylisit. Një tjetër barazim është regjistruar në Ballsh, ku rezultati përfundimtar shënoi 0-0. Kriza vazhdon të jetë prezente te skuadra durrsake, që mban vendin e fundit në tabelën e renditjes.

Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol“ në “Oversport“.

Kapllani (Erzeni): “Pas ndeshjes me Vllazninë nuk kishim shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen. Hymë për të bërë më të mirën sot, për të marrë fitoren. E nisëm mirë lojën. Por në një moment, me një goditje standarte pësojmë gol. Është e disata herë që përsëritet. Por përsëri arritëm të reagojmë.

Patëm mundësi, përpos një shtylle në pjesën e parë. Luajtëm deri në fund për ta fituar ndeshjen, por mos të harrojmë që Kastrioti është një kundërshtar i fortë. Jam pak i mërzitur për mënyrën se si e pësojmë golin. Jemi ekip me shtatlartësi mbi mesatare. Nuk ndihem mirë kur pësojmë gol në të tilla situata. Pastaj ekipi gjeti forcat, pati dëshirë, pati personalitet“.