Esin Hakaj do të jetë kapiteni i ri i Vllaznisë për sezonin 2023-2024. Pas largimit të Erdenis Gurishtës, tashmë për mbrojtësin e majtë përgjegjësitë shtohen, por 26-vjeçari ka treguar në sezonet e fundit se është një prej lojtarëve më të rëndësishëm në skuadrën shkodrane.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit shkodran, Hakaj foli me optimizëm për situatën në skuadër dhe pavarësisht ndryshimeve të shumta, ai beson se Vllaznia do të kualifikohet pas përballjeve me Linfildin, teksa e para luhet më 13 korrik në Irlandën e Veriut.
Esin, një javë në Bosnje. Si kanë shkuar përgatitjet?
Gjithçka po shkon mirë deri tani. Jemi duke u stërvitur dy here në ditë. Kuptohet që ka pak lodhje fizike, por megjithatë gjërat po shkojnë ashtu si duhet.
Ka shumë ndryshime në përbërje dhe sigurisht staf, por edhe në dëshirën e lojtarëve. Ju bën përshtypje?
Ardhja e trajnerit të ri ka sjellë një farë ndryshimi edhe në mënyrën e të stërviturit. Po vërehet një dëshirë e madhe te të gjithë lojtarët për të bërë mirë, duke filluar që nga ndeshjet e Europës.
Kanë mbetur pak lojtarë nga sezoni i shkuar. Mendoni se do të jetë shumë e vështirë për Vllazninë dhe përshtatjen e shpejtë të afrimeve?
Mund të jetë pak e vështirë, por nga dita në ditë lojtarët e rinj po ingranohen. Janë larguar disa futbollistë dhe kanë ardhur të tjerë, kuptohet që ata duan kohën e vet për t’u ambientuar. Mendoj se çdo gjë po shkon në mënyrën e duhur, pasi ata po punojnë fort për këtë gjë.
Prisnit të kishte kaq shumë largime?
Largimet kanë qenë të shumta, por ky ka qene vendimi i klubit.
Dy miqësoret e deritanishme sa ju kanë vlejtur?
Këto miqësore po na ndihmojmë shumë për t’u kolauduar dhe për të qenë gati për ndeshjet e Europës. Pas datës 3 korrik, kur të kthehemi në Shkodër, jam i bindur se çdo gjë do të jetë në vendin e duhur. Besoni te kualifikimi ndaj Lindfildit? Normalisht që po. Ne besojmë shumë te kualifikimi.