Misioni për të kapur zonën “Euro” është komplikuar ndjeshëm, e megjithatë Esin Hakaj beson se skuadra e tij do e realizojë të vetmin objektiv që i ka vendosur klubi.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori shfaqet i mërzitur për barazimin e fundit, ndërsa beson se me Skënderbeun do gjejnë të parën fitoren që u mungon që nga 30 marsi.
Hakaj, sa rrezikon Teuta pas barazimit me Luftëtarin?
Barazimi me Luftëtarin na mërziti të gjithëve, sepse e kishim përgatitur këtë ndeshje për të marrë tri pikë. Por tani duhet të vazhdojmë përpara, pasi nuk kanë mbetur edhe shumë ndeshje për të siguruar Kupat e Europës.
Nuk ju interesonte kjo pikë ndaj Luftëtarit?
Të jemi i sinqertë, jo. E dinim se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, por mbi të gjitha shumë e luftuar. Megjithatë, duhet t’i merrnim tri pikët, pasi edhe kundërshtarët tanë për Europë nuk fituan dhe në këtë mënyrë kishim shansin të rimerrnim vendin e tretë. Gjithsesi, nuk dorëzohemi dhe do bëjmë çmos që në këto 4 javë t’ia dalim. Asgjë s’ka mbaruar.
Krijoni raste, por nuk shënoni. Çfarë po ndodh?
Kur një skuadër mbyllet prapa siç bëri Luftëtari, është e vështirë që të gjesh hapësira. Unë mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë, megjithëse skuadra nuk arriti të konkretizojë. Rastet i kemi pasur dhe nuk i shfrytëzuam.
Sa shpresa ka Teuta për të shkuar në Europë, duke parë rezultatet në javët e fundit?!
Teuta do të shkojë në Europë… E dimë që do jetë një garë e fortë deri në fund të kampionatit, por ne do të japim maksimumin çdo ndeshje, për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë që ne ndodhemi.
Ndeshja e radhës me Skënderbeun, ka ardhur koha për të gjetur fitoren e munguar?
Ne shkojmë kudo për të dhënë më të mirën. Nuk nisemi nga emri që ka kundërshtari apo kualiteti. Besojmë te forcat tona. Punojmë shumë gjatë javës dhe në fushën e lojës japim më të mirën. Vetë pozitat që kemi në renditje, na diktojnë për të marrë sa më shumë pikë në çdo sfidë.