Sezoni aktual i basketbollit shqiptar ende nuk është mbyllur sepse po luhen finalet e tij megjithatë tek Vllaznia kanë filluar të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Ndonëse kanë ende edhe shumë kohë në dispozicion për të ndërtuar skuadrën, presidenti Alban Xhaferi dhe stafi i tij nuk kanë bërë asnjë ditë pushim.

Ato po hartojnë ndryshimet e duhura të cilat do të japin edhe efektin e vet në rezultate më pas në mënyrë që Vllaznia e sezonit të ri të jetë krejt ndryshe dhe ajo të luftojë për trofe. Hapi i parë që drejtuesit kanë ndërmarrë është ndryshimi i strukturës së drejtimit.

Tashmë Vllaznia nuk do të ketë në organikën e saj drejtor teknik sepse do jetë trajneri i ekipit të parë që do të ndërtojë strategjinë për gjithçka. Nga sa shihet, sërish trajneri do të jetë i huaj dhe presidenti Xhaferi po sheh të gjitha kandidaturat e mundshme për të gjetur njeriun që do të zëvendësojë kroatin Plantak në pankinën kuqeblu.

Po ashtu, po hartohet edhe një listë e mundshme e lojtarëve që pëlqehen dhe të cilëve do t’u bëhet ofertë për të qenë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri. Objektivat në fakt duket se janë shumë të larta sepse do të tentohet marrja e lojtarit- qendër më të mirë në Shqipëri, Hysenagollit, por kjo duket shumë e vështirë sepse edhe tregu i basketbollit tashmë ka pësuar rritje dhe çmimet e lojtarëve ndoshta nuk janë reale për nivelin e basketbollit shqiptar.

Por gjithsesi, drejtuesit shkodranë janë të vendosur për të bërë më të mirën dhe e sigurtë duket se Vllaznia e sezonit të ardhshëm do të jetë krejt ndryshe. Nuk do të flitet më për një skuadër që do të luftojë për mbijetesë, por për të pretenduar fitimin e trofeve.
© shkodrasport.com