Etrit Berisha po mendon të ardhmen e tij larg klubit të Haken, ndonëse është një nga pikat më të forta të skuadrës suedeze, siç e tregoi edhe me pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Portieri i cili ka bërë histori me Shqipërinë, ka zbuluar se vuan prej kohësh nga problemet në shpinë.
Sipas tij, shkaktari i këtyre problemeve që nuk po largohen dot, është bari artificial në të cilin stërvitet dhe luan klub i Haken, duke e detyruar që të marrë masa ekstreme si stërvitja individuale, apo edhe medikamente, siç ka treguar në një intervistë.
“Kur stërvitemi në bar natyral është më mirë, por në bar artificial përkeqësohet menjëherë. Unë kam marrë tableta çdo ditë në sezonin kaluar, kur kishte shumë ndeshje ku unë nuk dëgjova trupin tim”, tha Berisha për situatën e cila po e shtyn që të shkojë të kontrollohet te një specialist në Norvegji. “Nuk kam vendosur ende se çfarë do të bëj. Do të flas me doktorin dhe shpresoj që më pas të marr një vendim”, tha ai për mediat suedez.
Nga këtu lind edhe ideja e largimit nga Haken nëse mjeku i thotë që stërvitja në kushte të tilla do të vazhdojë kalvarin e 36-vjeçarit. “Po, mund të ndodhë”, tha Berisha.


