Partizani edhe një herë nuk ia del ndaj të voglave dhe humbet pikë të rëndësishme për të përparuar në misionin për kualifikimin në kompeticionet europiane. Të dielën nuk morën më shumë se një barazim pa gola ndaj Skënderbeut, ku u shfaqën një skuadër shumë e brishtë dhe pa fuqi goditëse.
Gjithsesi, përballje të tilla ndaj skuadrave më të dobëta në letër nuk janë diçka e re për 16 herë kampionët. “Demat” janë përballur plot 19 herë në këtë sezon me Teutën, Kastriotin, Egnatian, Dinamon dhe Skënderbeun dhe kanë dështuar të korrin fitore në 9 përballje.
Këto pesë ekipe u kanë marrë të kuqve 14 pikë dhe në rast se Partizani do t’i kishte këto pikë, do të renditej i dyti dhe Europa do të ishte një fakt i kryer. Nga pesë skuadrat në vendet 6-10, Partizanin e kanë mundur Teuta dhe Kastrioti, teksa disfata ndaj krutanëve është mjaft e freskët. Përballjet direkte janë shumë të rëndësishme, por ngecjet me të voglat kushtojnë shumë për Partizanin.
TABUJA – Kategoria Superiore është rruga e vetme nga e cila skuadra e Mehmetit mund të shpëtojë sezonin, por edhe trajneri mund të fitojë besimin e drejtuesve për të vazhduar në krye të skuadrës dhe për të nisur një projekt të ri fitues.
Gjithçka kalon sërish nga Vllaznia. Të shtunën në orën 16:45 në “Loro Boriçi”, Partizani diskuton fatin e këtij sezoni ndaj shkodranëve, të cilët në këtë edicion, ashtu si Tirana, nuk janë mundur asnjëherë nga “demat”.
Duke pasur parasysh këtë statistikë, Partizani duhet të thyejë një “mallkim”, që e ka ndjekur në pesë përballje ndaj Vllaznisë në këtë sezon. Betejën e parë për fatet e sezonit e fitoi Vllaznia, që e ndihmuar edhe nga fati, triumfoi në gjysmëfinale me penallti dhe i dha vetes një ndihmë të madhe për kualifikimin në Ligën e Konferencave të sezonit të ardhshëm, pasi tashmë i mjafton vendi i katërt për të hyrë në vallen e milionave europiane.
Nga ana tjetër, Partizani luan gjithçka për gjithçka në “Loro Boriçi” të shtunën dhe nëse fiton, do të duhet të hyjë në një tjetër duel të nxehtë, atë ndaj Kukësit, për vendin e tretë.
Në përballjet e shkuara të kampionatit loja ka qenë shumë e ekuilibruar, por “demat” kanë pësuar gol në të tria ndeshjet ndaj kuqebluve.