Cesc Fàbregas nuk kurseu kritikat e forta ndaj sulmuesit Álvaro Morata pas humbjes befasuese 2-1 të Como 1907 në shtëpi ndaj Fiorentina, një skuadër që para ndeshjes ndodhej në zonën e rënies. Golat e Nicolo Fagioli dhe Moise Kean i dhanë fitoren Fiorentinës, pavarësisht autogolit të Fabiano Parisi në pjesën e dytë.
Në intervistën për DAZN, Fabregas shprehu zhgënjimin për mungesën e fokusit dhe energjisë te skuadra: “Në pjesën e dytë nuk ishte futboll. Duhet të fitohet me motivim dhe energji. Ndihem keq që nuk arrita t’ua përcjell këtë lojtarëve. Bëmë gabim në qëndrim dhe duhet të jemi më të mirë në sulm.”
Por kritika më e ashpër shkoi për Álvaro Morata, i cili u përjashtua me dy kartonë të verdhë pas përplasjeve me Rolando Mandragora dhe Marin Pongračić.
Fabregas nuk kurseu: “Provokimi është pjesë e futbollit, por ata që nuk mund të jetojnë me këtë duhet të luajnë një sport tjetër. Pres shumë më tepër nga një lojtar me përvojë si ai.”
Trajneri spanjoll shtoi se kalendari i ngjeshur mund të ndihmojë skuadrën të rikuperojë ritmin: ndeshjet e radhës në ‘San Siro” dhe kundër Torino do të jenë mundësi për të vënë në praktikë mësimet e marra nga humbja dramatike.


