Amir Abrashi prej thuajse pesë sezonesh është një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës së Frejburgut. 30-vjeçari me grintën e tij ka mundur të fitojë besimin e drejtuesve dhe trajnerëve e të jetë rregullisht në formacion. Kontrata e mesfushorit të qendrës me klubin e Bundesligës përfundonte së shpejti dhe të dyja palët kanë ndërhyrë të bashkëveprojnë për të zgjatur qëndrimin e tij në skuadër.

Ky sezon nuk ka qenë më i miri për “pitbullin” e kombëtares, ku ka luajtur vetëm 13 ndeshje, i ndikuar edhe nga një dëmtim dhe forma jo optimale fizike, por drejtuesit i shohin kalimtare këta probleme dhe janë të vetëdijshëm se Abrashi është një element që i duhet shumë ekipit.

Klubi ka njoftuar rinovimin me 30-vjeçarin, por nuk kanë informuar rreth gjatësisë së kontratës së re, një element ku kanë gjetur dakordësinë edhe me lojtarin. Për faqen e klubit ka folur Abrashi, i cili tregon se është shumë i lidhur me klubin.

“Klubi dhe ambienti këtu janë thjesht fantastikë, jam shumë i lidhur me Freiburg. Mund t’i jap forcë dhe karikim skuadrës, do vazhdoj të punoj me motivim maksimal për të mirën e Freiburg“, shprehet Abrashi, i cili është bashkuar me Frejburg në korrikun e vitit 2015, pas skadimit të kontratës me Grasshoper. /vipsport/