Në studion e “Gol pas Goli” pas humbjes me Teutën, trajneri i Kukësit, Armando Cungu, pati edhe një debat me ish-futbollistin e Kombëtares, Ervin Fakaj, në panel.
Fakaj shprehej se Kukësi bëri shumë pak sot për të marrë fitoren, teksa ka shumë potencial në ekip, ndërsa Cungu i rreshtoi rastet e ekipit të tij, por sot kishte edhe probleme në mesin e fushës. Më poshtë, debati i plotë.
Fakaj: Kukësi bëri pak për fitoren sot…
Cungu: Kemi bërë ndeshje të mira dy fazat e para, e kemi treguar. Tani kanë ardhur shumë lojtarë. Në dy ndeshjet e fundit kemi pasur raste por nuk i kemi mbyllur ndeshjet. Kisha mesfushorët jo në gjendje të mirë, dhe nuk mund të bënim presion gjithë kohës.
I druhesha mesfushës së Durrësit, pasi ata presojnë shumë, dhe fitojnë dyluftime. Donim ta kapnim në kundërsulme Teutën, e bëmë 3-4 herë, mund ta mbyllnim ndeshjen 2-0. Bëmë shtyllë, humbëm penallti, nuk e di se ç’duhej të bënim më shumë në fushë kundërshtare.
Fakaj: Unë pretendoja më tepër. Po ta shihni ndeshjen me qetësi, kishit rast me Rrocën. Mund të merrnit diçka më shumë, por unë bazohem në bazë të potencialit. Nuk i di detajet…
Cungu: Nëse ke mundësi, të flasim me emra konkret potencialesh, dhe të mos flasim me terma të përgjithshëm.
Fakaj: Çfarë do të thotë kjo me lojtarë të veçantë?
Cungu: Çfarë do të thotë potencial?
Fakaj: Ke cilësi në ekip.
Cungu: Unë e kuptoj se çfarë do të thotë potencial.
Fakaj: Mendon se nuk ke cilësi në ekip?
Cungu: Për kë bëhet fjalë.
Fakaj: Më fal, edhe një herë, mendon se nuk ke cilësi në ekip?
Cungu: Kjo cilësi që kam, ka bërë që ky Kukës të jetë i vetmi ekip që luan të gjitha ndeshjet jashtë fushe, dhe kemi marrë rezultate të shkëlqyera. Nuk e nisëm si donim, për arsyet që i thashë, por kjo nuk do të thotë që Kukësi nuk ka bërë kampionat të mirë.
Fakaj: Ok, Suksese.
Cungu: Edhe unë të uroj suksese.