Përpara fillimit të ndeshjes mbrëmë mes Vllaznisë dhe Teutes që u zhvillua në “Loro Boriçi” dhe u mbyll në shifrat 1-1, u organizua dhe një ceremoni e vogël në nderim të ish-kapitenit të Vllaznisë, Gilman Lika.
Ish-mesfushori tashmë, ka varur përfundimisht këpucët në gozhdë duke u tërhequr nga futbolli i luajtur. Në moshën 34-vjeçare tashmë, Lika ka vendosur ti thotë mjaft një karriere të suksesshme.
Do mbesë në memorien e të gjithëve për atë që ka dhënë për fanellën e Vllaznisë në vite. Një debutim me kuqeblutë që në moshën 17-vjeçare, për tu shndërruar më pas në një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, por edhe kampionatit.
Do ngelë në mendje për atë gol në Elbasan, në finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Tiranes në vitin 2008 apo edhe në çastet e errëta të para 3 sezoneve ku Vllaznia u rrëzua në Kategorinë e Parë, por që Lika nuk e braktisi asnjëherë skuadrën e zemrës.
Një nga më të talentuarit e brezit të tij në Shkodër, ku se bashku me Xhevahir Sukajn cilësoheshin si dyshja më e mirë në vend. Një e majtë preçize, lidership e shumë klas tregoi ndër vite Gilmani me fanellën jo vetëm të Vllaznisë, por edhe me atë të Tiranes dhe Flamurtarit në vendin tonë apo edhe me Hacettepe, Boluspor, Diyarbakırspor në Turqi dhe Al-Faisaly në Arabi Saudite.
Në karrierën e tij, Lika numëron 5 kupa të Shqipërisë dhe 2 Superkupa të vendit të fituara. Pa arritur ndoshta të fitojë kampionatit, por fakt që nuk i zbeh kurrë vlerat e tij. Me fanellën e Vllaznisë në vite numëron 107 ndeshje, ku ka shënuar 18 gola dhe dhuruar 13 asiste.
Gjithashtu mëngjërashi ka qenë pjesë e kombëtares sonë për 19 takime. E duhet të themi FALEMINDERS GILMAN LIKA, për çdo emocion që na ke dhuruar në vite e suksese të tjera tashmë në rolin e trajnerit që ke marrë së fundmi tek akademia Basania. ENDRI ÇINARI