Erdhi me një bujë të jashtëzakonshme në merkaton e verës, saqë kishin nga ata që nuk e besonin se do ishte pjesë e Vllaznisë. Fjala është për Liridon Latifin. Mesfushori me tipare sulmuese u afrua tek shkodranët në verën e shkuar, ku pas disa eksperiencave jo shumë pozitive jashtë vendit me skuadra si Sheriff Tiraspol apo Akademia Puskas, vendosi të ishte pjesë e kuqebluve.

Patjetër me cilësitë e tij duke bërë që të gjithë tifozët të shikonin njeriun që mund të dërgonte Vllazninë drejt sukseseve. Statistikat janë pozitive dhe tregojnë se 28-vjeçari është një nga futbollistët më të mirë tek shkodranët.

Me 10 gola në llogarinë e tij dhe 5 asiste për shokët, Latifi është ai që ka kontribuar më shumë për 9 herë kampionët e vendit në këtë sezon. Por forma e prishtinasit nuk ka qenë në nivelin e duhur në periudhën e fundit.

Kjo u vërtetua edhe mbrëmë kundër Partizanit, ku përballë kundërshtarit direkt që kishte, Markut, Latifi nuk arriti të fitonte asnjë duel. Madje ish-futbollisti i Skënderbeut ishte shumë i pasaktë edhe në pasimet drejt shokëve të tij e po ashtu duke dhënë shumë pak në pjesën mbrojtëse të skuadrës. Një impenjim jo në nivelin e duhur për sulmuesin nga i cili të giithë presin shumë.

Edhe marrëdhënia me golin nuk ka qenë e duhura në këtë periudhë. Kjo pasi për të parë një gol me aksion të numrit 7-të duhet të shkojmë në ndeshjen Vllaznia-Teuta të datës 13.02.2022, ku shkodranët fituan në shifrat 4-2.

Kjo rënie e formës së Latifit ka ndikuar shumë edhe tek loja e skuadrës që duket se varet nga prishtinasi. Tashmë të gjithë shpresojnë që Latifi ta kalojë sa më shpejt këtë “ngërç” dhe të rikthehet vendimtar në këtë fund sezoni për shkodranët.
Endri ÇINARI