Ka qenë pjesë kryesore e kolegjiumit të gjyqtarëve të futbollit të Shkodrës, duke gjykuar për shumë vite me sukses ndeshje të rëndësishme të kampionatit shqiptar.

E kemi fjalën për Bardh Maçin, teksa pas emigrimit jashtë vendit, prej shumë vitesh pasionin e tij për gjykimin, vazhdon ta ushtrojë edhe në Irlandë. Të gjitha këto, e kanë bërë shkodranin e njohur, Bardh Maçi të jetë shumë afër jetës sportive, dhe sidomos futbollit, komentet dhe analizat e të cilit vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen e duhur të opinionit sportiv.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe tani, teksa Maçi përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, shkruan se sot do të ketë një mbledhje urgjente në FSHF, posaçërisht për dy gjyqtarët e ndeshjes së djeshme Partizani-Vllaznia, Olsid Ferataj dhe Andi Koçi, teksa sipas tij gjyqtari i VAR Koçi, do të përjashtohet përgjithmonë nga arbitrimi, për shkak se dyshohet se gjithçka ka qenë e qëllimshme.

“Arbitri i ndeshjes së djeshme, Ferataj dhe arbitri i VAR, Koçi, ishin të zgjedhur e drejtuesëve të Partizanit në ndeshjen kundër Vllaznisë.

Sot në ora 15:00 do jetë mbledhje urgjente në FSHF, posaçërisht për rastin e qëllimshëm nga këto dy palaço arbitrash.

Njëri nga këto dy arbitra do përjashtohet përgjithmonë nga arbitrimi dhe mesa di unë është Koçi.
Megjithatë, do ishte në të mirë të tyre dhe të futbollit që t’i përjashtonin të dy, se përndryshe s’ka vlerë njëri po e tjetri jo, pasi të dy ishin pjesë e pisllëkut për të ndëshkuar Vllazninë dhe ndihmuar Partizanin. Kaq kisha”,-shkruan në “Facebook”, ish-gjyqtari i njohur shkodran, Bardh Maçi.
Maringlen ZHIVANI