Vllaznia e sivjetme ndonëse e nisi me probleme kampionatin, duket se gradualisht po i bën për vete të gjithë. Nuk mungojnë komentet pozitive për punën e stafit drejtues, për trajnerin apo dhe lojtarët.
Skuadra aktualisht është në krye të renditjes por kuptohet që i duhet shumë punë për ta ruajtur këtë vend. Megjithatë sot do të ndalemi tek një shkrim shumë i bukur që ka bërë gazetari i mirënjohur Besnik Dizdari në faqet e “Panorama Sport”.
Në një analizë të shtatë javëve të para të kampionatit të kategorisë Superiore, Dizdari ndalet edhe tek Vllaznia të cilën e quan një suprizë të këndshme të tij.
“Dy javë më parë, ishte e shtata në renditje dhe brenda 180 minutave u bë kryesuese e kampionatit. Këto veç skuadra e Shkodrës i sendërton. Një herë e para përcaktuar kështu:
“Pa Vllazninë në luftën për titull, dijeni se Kampionati i Futbollit në Shqipëri humbet shumë. Vllaznia kur është në luftë për titullin krijon çudinat më të bukura.
Ajo e humb kampionatin brenda në Shkodër.
Ajo e fiton kampionatin jashtë Shkodrës.
Ajo e fiton kampionatin kur as ti, as unë, as i treti nuk e besojmë.
Ajo e humb kampionatin kur edhe më “armiku” i saj nuk e merr me mend.
Ajo shpallet kampione në çastin e fundit.
Ajo e humb kampionatin qysh në javën e pestë.
Ajo e ndërron atmosferën katër herë brenda një 90 minutëshi, vranët, shi, diell, furtunë.
Ajo është Vllaznia e Shkodrës që të mund duke të lënë të kënaqesh duke luajtur futboll.
Ajo kurrë nuk ta merr frymën, përkundrazi të jep zemër kur ti po asfiksohesh.
Ajo e mbush stadiumin, edhe pse është e pesta në kampionat.
Ajo është ndër të rrallat që të shtrëngon dorën edhe kur ti e ke shkatërruar brenda në Shkodër, qoftë edhe me hile.
Ajo e vazhdon kampionatin edhe pse gjyqtari i vjedh 9 pikë në tri ndeshje.
Ajo e vë buzën në gaz edhe kur ti mendon se po qan”.
Kështu pra, kjo e sotmja nuk është Vllaznia e asokohe. është një tjetër. është legjendarja e futbollit shqiptar që vuan, veç vuan. Disi e ndjej për të uruar që gëzimi i këtyre dy javëve të mos jetë i shkurtër. Nuk besova se do ta përmbyste Kukësin teksa ky dukej se e kishte ndeshjen në duart e veta. Mirëpo goli fitimtar i saj ishte i stilit klasik të Vllaznisë “së vjetër”. Kjo edhe ngaqë autori, Gilman Lika, është një nga talentet e fundit autentikë të futbollit të Shkodrës.
Sidoqoftë, ajo që çmoj më shumë tek kjo Vllazni, është përbërja thelbësore shkodrane e saj: Sherri, Gurishta, Ruqi, Bardulla, Krymi, H.Marku, Repaj, Qarri, Lekaj, Ramadani, Shtubina me Likën në krye, janë autentikë të shkollës së pashtershme të futbollit të Vllaznisë.
E dikur i pëlqente tejet futbolli brazilian, e për çudi sot ka tre prej shkollës së “kariokave”: Hygor, Sinho, Maranhao. Po për hir të së vërtetës, në këtë kampionat tejet artificial në “shumëkombësinë” e tij me lojtarë të huaj krejt mesatarë, Vllaznia qysh tash e merr medaljen e vërtetësisë qytetare, teksa është skuadra me numrin më të madhtë lojtarëve të dalë prej saj.
Do t’i këshilloja që andej nga janari të rikthejë edhe nja katër a pesë shkodranë të tjerë të cilët luajnë me klube të tjerë, E atëherë, kushedi se çfarë Vllaznie mund të shohim…”