Vllaznia u eleminua ditën e djeshme nga AEL Limassol. Shkodranët u mposhtën 0-1 në “Loro Boriçi”, ndërsa ishin mundur edhe 1-0 në sfidën e parë të luajtur në Qipro. Në fund të ndeshjes për mediat, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç u shpreh se janë të zhgënjyer nga ky eleminim, ndërsa theksoi se skuadra e tij do të dalë më e fortë.

“Jemi të zhgënjyer që humbëm, pasi donim të fitonim. Ishim të pafat gjatë ndeshjes me disa situata. Duhet të pranojmë rezultatin e ndeshjes. Në qoftë se i sheh rezultatet e këtyre takimeve, e kupton që ata e merituan kualifikimin në raundin tjetër.

Gjithsesi kjo eksperiencë do të na vlejë dhe duhet të jemi krenar që shkuam në këtë raund dhe kemi ndërtuar një Vllazni të re shumë të mirë. Mendoj se gjëja e parë në futboll është të shënosh, nëse do që të fitosh. Ne nuk shënuam në këto dy ndeshje. Nga këtu filloi dhe gabimi ynë.

Megjithatë lojtarët luftuan, kishin shpirt gare dhe kjo është gjë e mirë. Pas kësaj ndeshje fillimit duhet të ç’lodhemi pak, pasi kemi punuar shumë për këtë ndeshje. Nga kjo ndeshje jam i sigurt që do të dalim më të fortë, pasi kemi mësuar shumë”.