Vllaznia u eleminua ditën e djeshme nga AEL Limassol. Shkodranët u mposhtën 0-1 në shtëpi, ndërsa edhe në ndeshjen e parë u mundën me rezultatin 1-0. Pas sfidës së luajtur në “Loro Boriçi”, për mediat foli edhe sponsori Alban Xhaferi I cili u shpreh skuadra bëri një paraqitje dinjitoze në Kupat e Europës.

“Mendoj se AEL Limassol kishte përgatitje fizike më të mirë se ne dhe luanin më mirë me topin. Në pjesën e parë nuk ishim në nivelin që prisnim, por besoj se pjesa e dytë ishte më e mirë për ne dhe kishim shanse për gol, madje në një rast u çuam të gjithë në këmbë pasi menduam se topi hyri në portë.

Futbolli këto i ka, kur nuk shënon do të pësosh, besoj se kemi bërë një paraqitje dinjitoze në Kupat e Europës dhe është arritur një objektiv i mirë këtë sezon sepse është viti i parë pas shumë vitesh që Vllaznia luan në Europë.

Jam optimist që Vllaznia tani do të vazhdojë aventurat në Europë në nivele edhe më të mira”, u shpreh sponsori Xhaferi.