Shkruar nga Gjergj KOLA
Ëndrrat mund të bëhen realitet. Kështu i ka ndodhur shkodranit Gleart Golemi i cili tashmë e sheh veten aty ku ndoshta as edhe në ëndrrën më të bukur nuk do ta kishte menduar se do ta bënte realitet. Që prej janarit të këtij viti ai është bërë pjesë e stafit teknik të ekipit të parë të skuadrës së njohur gjermane Hannover ’96.
Siç kemi shkruar edhe më parë, Golemi është një i ri shumë pasionant i cili i ka hyrë fushës së futbollit në Gjermani, vend ku jeton prej vitesh, duke tentuar të bëjë emër në rolin e video- analistit pasi ka ndjekur të gjithë kurset që i duheshin për këtë gjë. Dhe duke qenë një nga më të mirët në këto kurse, jo më kot është përzgjedhur për të qenë për njëfarë periudhe edhe si video- analist pranë kombëtares gjermane.
Një punë e kryer për një periudhe të shkurtër dhe më pas, në korrik të vitit 2024 u bë pjesë e Akademisë së klubit të njohur gjerman Hannover ’96 duke punuar me ekipet e moshave të vogla dhe më pas me atë U23. Puna e mirë e bërë aty, i ka dhënë jo pak “bonuse” dhe si rrjedhojë në janar të këtij viti, pas një viti e gjysëm tek Akademia, i është bërë oferta nga drejtuesit e klubit për t’iu bashkuar stafit të ekipit të parë.
Dhe Glearti kuptohet që nuk mund t’i thoshte “jo” një oferte të tillë sepse kjo kishte qenë ëndrra e tij. Dhe për rrjedhojë ka ardhur edhe kontrata e firmosur, çka e bënte atë pjesë të ekipit të parë, duke qenë në stafin e trajnerit Christian Titz. Shkodrani është mëse i kënaqur për këtë gjë dhe këtë e ka shprehur edhe përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale ku shkruan:
“Në janar 2026, vetëm 1 vit e gjysëm pasi u bana pjesë e Akademisë së Hannover 96 dhe ekipit U23, hyra tashma në vallen e shumë ëndërrume qysh i vogël nga televizori- vallen e ekipeve të para, të ndeshjeve të forta dhe stadiumeve të mëdha.
Aktualisht, të jem pjesë e stafit teknik të ekipit të parë të Hannover 96, më jep jo vetëm kenaqesi e krenari por njëkohësisht edhe përgjegjësi për të arritë qëllimin e madh të klubit e për të përmbushë pritshmëritë e një qyteti të tanë: Fitimin e titullit kampion e rikthimin pas 7 viteve në Bundesligën e parë”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”




