Një lajm fantastik për portierin me origjinë nga Shkodra, Raffaele Huli. 17 vjeçari i lindur në Itali është grumbulluar sot me ekipin e parë të Juventusit për ndeshjen e kampionatit, atë ndaj Napolit që do të startojë në orën 18:00.
Ai bën pjesë në listën e 22 lojtarëve të grumbulluar për këtë sfidë nga trajneri Spalleti, përkrah dy portierëve të tjerë Di Gregorio dhe Perin. Për ndeshjen e sotme ndaj Napolit mungon Pinsoglio, portieri i tretë dhe për këtë arsye kanë thirrur Hulin.
Ky padyshim që është një moment lumturie për këtë 17 vjeçar i cili vjen nga ekipi “Primavera” i Juventusit, ku po spikat me paraqitjet e tij dhe prandaj është vazhdimisht edhe në vëmendjen e stafit të ekipit të parë.
Raffaele Huli siç dihet mbron edhe portën e kombëtares U19 të Shqipërisë dhe konsiderohet një element me shumë të ardhme. Jo më kot, sot ai do të jetë në pankinë me ekipin e Juventusit në ndeshjen e Seria A ndaj Napolit, ndonëse është vetëm 17 vjeç.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



