Wednesday, March 18, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREFANTASTIKE/ Rritet dukshëm numri i fëmijëve që merren me futboll në Shkodër

FANTASTIKE/ Rritet dukshëm numri i fëmijëve që merren me futboll në Shkodër

Në kushtet kur shumëkush ankohet për fëmijë e të rinj që janë gjithnjë e më pak aktivë me sportin, nga Shkodra na vjen një lajm shumë i mirë. Numri i fëmijëve që ushtrohen me futboll është rritur dukshëm këtë vit. Dhe kjo gjë meriton vërtetë një duatrokitje sepse dihen vlerat e të marrurit me sport.

Kjo ndodh në një periudhë kur çdo vit e më shumë rritet numri i familjeve që lënë Shqipërinë për një jetë më të mirë jashtë vendit dhe ndonëse popullsia ka rënë, është rritur numri i fëmijëve që janë zyrtarisht të federuar me ekipe të ndryshme dhe të rregjistruar në Shoqatënn Rajonale të Futbollit Shkodër.

Dallimi është i qartë nga një vit më parë. Në sezonin 2024-2024 kanë qenë të rregjistruar zyrtarisht 1064 fëmijë, ndërsa në sezonin aktual 2025-2026 janë të rregjistruar plot 1424 fëmijë, pra plot 360 më tepër.

Një sezon më parë kanë marrë pjesë në kampionatet e organizuara nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër 71 ekipe futbolli, ndërsa këtë sezon garojnë 95 ekipe, pra 24 më shumë.

Një gjë e tillë ka ardhur për shumë arsye. Së pari, furnizimi i të gjithë ekipeve me kostume sportive dhe topa nga Federata përmes projekteve “Uniforma ime” dhe “Topi im”, ka shtuar dëshirën e fëmijëve për ta ushtruar këtë sport të preferuar për të gjithë. Por jo vetëm kaq. Një punë shumë e mirë është bërë edhe nga drejtuesit e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, kryetari i saj Lazer Matija, drejtori teknik Hysen Zmijani dhe sekretari Jetmir Podgorica.

Për sezonin 2025-2026 për herë të parë ata kanë organizuar kampionatin e grupmoshës U7 ku marrin pjesë 6 ekipe dhe po ashtu kanë rikthyer pas disa vitesh mungese kampionatin e grupmoshës U17 ku marrin pjesë 8 ekipe. Pra, nëse një sezon më parë, SHRF Shkodër organizonte kampionate përr 4 grupmosha, sivjet e bën me 6 të tilla. Dhe kjo padyshim që ka sjellë rritjen e numrit të fëmijëve që luajnë futboll.

Megjithatë edhe me grupmoshat e tjera ka një rritje të numrit të ekipeve dhe kjo padyshim që është diçka shumë pozitive. Shqetësimi më i madh për të gjithë është mungesa e terreneve sportive, një problem që ende nuk po gjen zgjidhje. Dhe në fakt, për këtë duhet ngritur zëri sepse siç e thamë më lart, janë plot 1424 fëmijë që luajnë futboll vetëm në kampionatet e Ligës Amatore. Pa llogaritur ato të Vllaznisë, KF Shkodra, Atletik e tjerë që marrin pjesë në kampionatet profesioniste dhe të kategorisë së parë.

E rëndësishme është që fëmijët e shkodranëve po vazhdojnë ta duan gjithnjë e më shumë futbollin, ashtu siç e kanë dashur gjithmonë, pavarësisht problematikave që i shqetësojnë familjet e tyre. Kampionatet nga viti në vit po organizohen më mirë, baza materiale tashmë është për notën “10”, po rritet edhe niveli profesional i trajnerëve që punojnë me këto ekipe dhe nëse institucionet shtetërore bëjnë detyrën e tyre për t’u krijuar kushte për të luajtur futboll, kuptohet që do të kishim edhe më shumë cilësi.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments