Viktor da Silva ishte heroi i Vllaznisë në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut më 31 maj, duke shënuar një gol që e riktheu klubin shkodran te fitimi i trofeut. Fantazisti brazilian bëri diferencën në sezonin e tij të parë me fanellën kuqeblu, por situata e tij me klubin në tre muajt e fundit nuk është e mirë.

“Panorama Sport” zbuloi pak ditë më parë se 26-vjeçari ishte ankuar për rrogat e prapambetura dhe përmes menaxherit të tij, kishte njoftuar zyrtarisht edhe FSHF-në. Kaq mjaftoi që mes palëve të niste krisja, paçka se klubi shkodran u detyrua të shlyejë pjesërisht brazilianin, duke iu trembur një padie. Gjithsesi, ai është edhe një vit nën kontratë me Vllazninë, por ende nuk është paraqitur në skuadër.

Por, çfarë po ndodh me fantazistin dhe si është e vërteta? Ekskluzivisht për gazetën, Da Silva tregon gjithçka, që nga dëshira për t’u larguar dhe deri te kërkesa që pritet t’i bëjë sponsorit Alban Xhaferi. Edhe pse shumë konciz me përgjigjet që jep, sërish lojtari konfirmon atë që është shkruar për të në ditët e fundit. Kontrata që ka me Vllazninë edhe për një tjetër sezon e bën edhe më të komplikuar situatën dhe natyrisht dëshirën që braziliani ka për të ardhmen.


Da Silva, Vllaznia ka nisur stërvitjen, por ju nuk i jeni bashkuar skuadrës. Çfarë po ndodh?

Për momentin jam i dëmtuar, nuk ka ndodhur ndonjë gjë.

Si është e vërteta e raportit tuaj me klubin, a ka ndryshuar diçka së fundmi që e vë në dyshim vazhdimësinë tuaj Shkodër?

Ajo që unë mund të them momentalisht për të ardhmen time, është se duhet të respektoj vitin e kontratës që kam me Vllazninë. Por, gjithashtu mund t’ju them se kam oferta të ndryshme edhe konkrete.

Çfarë doni të thoni me këtë, jeni duke menduar largimin nga Vllaznia?

Do të kërkoj largimin, gjithnjë nëse është e mundur që të gjej një marrëveshje me presidentin, në mënyrë që transferimi im të bëhet.