Vllaznia ka lënë pas krahëve eksperiencën europiane dhe ka filluar prej disa ditësh përgatitjet për sezonin e ri.

Kuqeblutë do të jenë ndër të parët që zbresin në fushë, pasi do të luajnë Superkupën ndaj Teutës e dëshirojnë që të jenë gati për këtë sfidë. Por planet që kishte bërë trajneri Brdariç me stafin e tij, mund të ndryshojnë.

Shkak është bërë pasiguria për fazën përgatitore. Kuqeblutë kishin planifikuar të udhëtonin jashtë, duke shkuar mundësisht në Zllatibor të Serbisë. Por në këtë mes ka dalë një problem i madh, pasi kuqeblutë nuk po gjejnë dot miqësore në destinacionet e mundshme ku mund të zhvillojnë 2-3 javë përgatitje para fillimit të sezonit të ri.

Ata nuk duan që të ndeshen me kundërshtarë të nivelit amator, siç mund të ofrohen në këto momente, ndaj po mendohet që plani të ndryshojë e Vllaznia të bëjë përgatitjet në Shqipëri, ose në Maqedoni, ku ekziston mundësia më e lartë për të gjetur kundërshtarët që i nevojiten për t’u bërë gati për edicionin e ri.