“Kam 6 muaj që e kam lënë cigaren, atë ditë në ndeshjen ndaj Egnatias dytri herë për pak e nisa prapë. U mata ta merrja një cigare nga shokët që kisha aty afër, aq shumë u mërzita nga ajo ndeshje aq e dobët. Shpresova shumë se të paktën do të barazonin dhe nuk e ndeza. Po më mirë kështu, sepse do të kishin qenë të këqija bashkë për mua: humbja e Dinamos dhe do të nisja prapë cigaren”.
Mes batutash që kanë brenda dhe emocionet reale që ka përjetuar në ndeshjen e luajtur të mërkurën në Elbasan, ish-trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, komenton për “Panorama Sport” humbjen kundër Egnatias. Ai shprehet se ka mbetur pa fjalë nga ajo humbje, që i zbriti blutë nga vendi i katërt, më shumë nga loja dhe defektet e skuadrës në fushë, por edhe nga përgatitja shumë e dobët në aspektin psikologjik.
SI LOPA – “Dinamo e bëri si “lopa”, e kishte vendin e katërt në duart e saj dhe i futi vetë shkelmin, vazhdon më tej “Xhaxhi”. Është ajo që e kam thënë edhe më herët, që kjo skuadër habitet edhe vetë kur fiton dhe kur bën mirë në ndeshje të caktuara, si ai nxënësi i dobët ë çuditet kur merr nota të mira. Ka disa javë në fakt që nuk po luan mirë dhe rrjedhimisht edhe nuk po merr pikë. Kam qenë në stadium në të gjitha ndeshjet.
Ai gabim te goli i pësuar në Shkodër, në sekondat e fundit, ishte mizerabël. Nuk e kuptoj se si mund ta lëshosh, apo ta nënvlerësosh rastin ashtu, kur edhe kundërshtari vetë e kishte lënë lojën dhe priste mbylljen e ndeshjes. Këto janë pikët që të çojnë tek objektivi dhe është e pafalshme si shpërdorohen. Edhe me Egnatian po kështu, kundërshtari nuk është se bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme në atë ndeshje. Bëri atë lojën e vet të zakonshme dhe të lexueshme, por ai gabim tek autogoli nga një lojtar me eksperiencë, që ka fituar edhe titullin, nuk di si mund të ndodhë”.