Faruk Sejdini ka folur per ecurine e deritanishme ne kampionat, madje nuk ngurron që t’i japë edhe një këshillë Vllaznisë.

“Vllaznia po tregon një konsolidim në kuptimin e lojës, por ka edhe avantazhin e pikëve, ndaj matematikisht dhe teorikisht është pretendentja numër një. Por, e theksoj: për momentin që flasim. Pse jo, edhe e fiton.

Por, futbolli është i paparashikueshëm, ndaj ka edhe matematikën e pritshme, që do të thotë, bëhet fjalë për një diferencë e përkthyer në vetëm 3 ndeshje. Jo rrallëherë kanë ndodhur që 3 ndeshje edhe mund t’i humbësh radhazi, qoftë edhe përballë skuadrave të ashtuquajtura pa pretendime apo në pjesën e fundit të tabelës.

Kështu që, gara është e hapur. Meqenëse ju më pyesni për tani, matematikisht është e pritshme që Vllaznia të triumfojë. Vetëm një gjë dua të them, që ky kampionat mendoj se do të jetë i paparashikueshëm sepse ishte i tillë edhe kur filloi. Sepse, ne patëm dy goditje:

Një që ishte pandemia globale, siç e ka e gjithë bota dhe po shohim që kudo ka oshilacione të mëdha, por së dyti ne kishim edhe një budallallëk shqiptaro-kinez që e pengon kampionatin, edhe nja dy muaj pasi u hap mundësia për të luajtur pas pandemisë.

E gjithë kjo, për shkak të bojkotit që të bëhej Liga. Kinezëri shqiptare që e pengon futbollin. Nëse të gjitha kampionatet nëpër botë patën vetëm goditjen që u dha Zoti, ne patëm edhe goditjen ‘alla shqiptare’ për trutë tanë”, u shpreh 70-vjeçari, i cili shpalli kampione Dinamon në sezonin 2001-2002.