Ditën e djeshme në Stamboll të Turqisë sportisti i tij Heldi Valikaj është renditur i dyti në garën e kërcimit trehapësh në Kampionatin Ballkanik të të rinjve duke marrë medaljen e argjendtë.

Për trajnerin Fatjon Serhati padyshim që kjo është një kënaqësi e madhe sepse kurorëzohen me sukses puna dhe lodhja e bërë prej vitesh me të. Në një prononcim të shkurtër nga Stambolli në lidhje me garën e djeshme, Serhati për “Shkodra Sport” do të shprehej:

“Jam shumë i kënaqur me rezultatin e Heldit ndonëse në fakt u përgatitëm për vendin e parë dhe medaljen e artë. Kjo ngaqë deri pas kërcimit të katërt ai ishte në vendin e parë dhe vetëm në të pestin, atleti serb duke u ndihmuar në njëfarë mënyrë edhe nga era, kërceu më shumë dhe i mori vendin e parë.

Unë si trajner përgjithësisht jam i kënaqur rezultatin e sportistit tim por kuptohet që edhe koha e paqëndrueshme që shoqëroi garën e tij me shi dhe erë e cila ndërronte shpesh drjtim dhe kjo influencon shumë tek ne. Gjithsesi, e përsëris, jam i kënaqur dhe madje i befasuar në njëfarë mënyre me arritjen në të tilla nivele kaq shpejt”.

Por ndërkohë Valikaj pas pak ditësh do të marrë pjesë në Festivalin Rinor Olimpik që do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit. I pyetur në lidhje me pritshmëritë për këtë aktivitet, trajneri Serhati shton: “Nëse Heldi shkon në limitet e tij, pra në 14.80- 14.90 metra, me siguri që do të jetë në zonën e medaljeve, por garës asnjëherë nuk i dihet. E rëndësishme është që ky sportist po rritet dita- ditës dhe tashmë po na jep edhe medalje”.
© shkodrasport.com