“Me Vllazninë luhet në dy fronte, në fushë, por edhe në tastierë.” Kjo është deklarata e analistit sportiv, Fatmir Lugji, në emisionin “Studio Sport” që transmetohet në ekranin e RTSH Shkodra.

“Shiko duke parë situatën e Vllaznisë, duke parë edhe ndeshjen e fundit me Erzenin, unë akoma nuk e kam marrë veten kur kam parë stadiumin “Loro Boriçi” në atë gjendje. Eshtë e pafalshme që në Shkodër, stadiumi të jetë bosh dhe këtë zbrazëti të stadiumit, kush e ka sjellë?

E kanë sjellë futbollistët, e kanë sjellë trajnerët, e kanë sjellë presidenti Xhaferi dhe të gjjithë ato që merren me Vllazninë dhe prandaj ka ardhur një moment që tashmë duhet thënë stop këtyre problemeve. Duhet shikuar mirë, për të bërë një analizë dhe gjithsecili ta mbajë përgjegjësinë, sepse në qoftë se do të vazhdojë kështu, do të kemi një tragjedi me Vllazninë dhe përsëri do të kalojë në Kategorinë e Parë.

Kush janë problemet kryesore? Unë për mendimin tim, kam arritur në përfundimin se me Vllazninë luhet në dy fronte, në fushën e futbollit dhe në tastierë. Këtë duhet ta shikojnë drejtuesit. Këtë duhet ta shikojnë institucionet që merren me këtë punë, pse jo edhe institucionet penale që merren me këtë punë, sepse po luhet me ndjenjat e tifozërisë shkodrane.

Me Vllazninë, trukohet, sepse nuk ka mundësi, që një ndeshje luhet mirë, tre ndeshje luhet dobët, absolutisht. Kështu që, ky është një mesazh që unë i jap institucioneve që duhet ta shikojnë. Eshtë një mesazh që unë i jap drejtuesve që ta shikojnë, sepse ndoshta, nuk mund të jetë koka, presidenti Xhaferi, por mund të jenë të tjerë të stafit, mund të jenë edhe një pjesë të futbollistëve.

A e dini, se në qoftë se dy-tre prej futbollistëve bashkëpunojnë për trukim, shkatërrohet loja e një ekipi? Kështu që, nuk ka arsye tjetër që Vllaznia të jetë në këtë situatë”,-theksoi ndër të tjera analisti sportiv Fatmir Lugji, mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Studio Sport” që transmetohet në RTSH Shkodra.