Kampionati për Vllazninë duket se është futur në shinat e duhura pas fitores kundër Laçit. 3 pikëshi i dytë rradhazi për të besuarit e Brdariç ka larguar përfundimisht krizën e para pak javëve. Tashmë 9 herë kampionët e vendit janë “kokë e këmbë” në luftë për titullin kampion. Objektiv që është deklaruar shpesh nga drejtuesit.

Por ajo që bie në sy nga fitorja përballë kurbinasve është se Vllaznia nuk ka pësuar gol. Kjo është hera e dytë këtë sezon që Vllaznia e mban rrjetën të paprekur. Vetëm në javën e 4-t të kampionatit përballë Skënderbeut në Korçë, kuqeblutë nuk pësonin gol në takimin që mbyllej 0-0.

Ndeshja hapëse e fazës së dytë kundër Laçit përveç fitores, ekipi mban edhe portën e paprekur. Zogovic me “4 muskutierët” e mbrojtes, Adili, Diagne, Hakaj dhe Gurishta ishin një “mur” përpara kundërshtarëve. Ky duket të jetë edhe një ogur i mirë për shkodranët.

Tashmë mbetet që në javët në vijim duke filluar që nga ndeshja e rradhës kundër Teutes të vijohet në këtë rrugë. Patjetër që tek Vllaznia duan të bëjnë sa më mirë deri në fund të këtij viti ku diferenca me Tiranën kryesuese të zvogëlohet sa më shumë të jetë e mundur.
Endri ÇINARI