Armando Cungu mendon se këtë sezon Vllaznia është më e mbledhur si skuadër se sa sezonin e kaluar. Trajneri shkodran që sot drejton Kombëtaren U-19 dhe që më parë ka qenë pjesë e kuqebluve, ka analizuar në tërësi kampionatin e shkodranëve.

Fillimisht, ai ka folur për përshtypjen që i ka lënë Vllaznia e trajnerit Mirel Josa deri më tani. Cungu u shpreh se ekipi shkodran ka pasur ato oshilacionet e veta, megjithatë theksoi se kjo skuadër është më pragmatiste se sa ajo e sezonit të kaluar.

“Si çdo ekip i kampionatit, edhe Vllaznia ka pasur ato oshilacionet e veta. Megjithatë, personalisht mua më është dukur skuadër më pragmatiste. Vllaznia është aty në luftë për trofe dhe kjo është pozitive. Nëse bëjmë një krahasim me sezonin e kaluar, më duket më e mbledhur si skuadër.

Sigurisht që në një ekip gjatë kampionatit, ka padyshim gjëra që duhen përmirësuar. Unë mendoj se nga reparti i sulmit pritet më tepër. Një arsye e luhatjeve që ka pasur ekipi mund të jenë edhe mungesat apo dëmtimet e disa futbollistëve të sulmit, si Latifi apo edhe të tjerë, të cilët do të ishin forcë më tepër për të ndihmuar Vllazninë.

Duhet të presim janarin për të parë nëse ekipi do të ketë fat për të gjetur ndonjë individ që mund të ndihmojë në pjesën e mbetur të sezonit. E them fat, sepse janari në përgjithësi nuk ka sjellë futbollistë që kanë përmbushur pritshmëritë. Më e rëndësishme do të ishte rikthimi i futbollistëve të dëmtuar në formën optimale”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri shkodran i Kombëtares U-19, Armando Cungu.
Maringlen ZHIVANI