Vllaznia barazoi 0-0 në transfertë me Tiranën, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, për llogari të javës së 12-të të Abissnet Superiore. Edhe për këtë përballje, në portë për kuqeblutë ka vijuar të jetë si zakonisht portieri Bojan Zogoviç.

“Klasikja” ndaj Tiranës ishte për portierin malazez një ndeshje historike, sepse ishte e 100-ta me kuqeblutë. Zogoviç përjetoi një 90-minutësh me shumë emocione dhe padyshim që ka merita maksimale që e ruajti me rrjetën e paprekur portën e tij, falë disa ndërhyrjeve të sakta.

Pas “Klasikes” me Tiranën, ka qenë vetë portieri Bojan Zogoviç, që përmes një statusi të publikuar në profilin e tij në rrjetet sociale, ka thënë se është shumë krenar që është pjesë e një klubi të madh, siç është Vllaznia.

“Sot luajta ndeshjen time të 100-të zyrtare me fanellën e KF Vllaznia. Jam shumë krenar që jam pjesë e këtij klubi të madh”,-shkruan portieri i Vllaznisë, Bojan Zogoviç.

Me malazezin në portë, kryesisht Vllaznia ka qenë e sigurtë në këtë repart, ku madje jo pak herë, Zogoviç ka qenë edhe pika më e fortë e skuadrës në evitimin e disa golave të sigurtë.
Maringlen ZHIVANI