Friday, May 15, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREPronari i Milanit ëndërron NBA Europe, Cardinale fton klubet e futbollit të...

Pronari i Milanit ëndërron NBA Europe, Cardinale fton klubet e futbollit të bashkëpunojnë me NBA-në

Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, ka zbuluar planet ambicioze për të ardhmen e klubit kuqezi, duke shprehur dëshirën që Milani të bëhet pjesë e projektit të ri “NBA Europe”, që pritet të nisë në sezonin 2027/28 nën drejtimin e NBA-së dhe FIBA-s.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, themeluesi i RedBird Capital Partners foli jo vetëm për futbollin, por edhe për mundësinë e zgjerimit të markës së Milanit përmes basketbollit europian.

Cardinale theksoi se basketbolli europian është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe se Europa tashmë është kthyer në një fuqi të madhe në këtë sport.

“NBA është ndoshta i vetmi sport vërtet global që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Sot shumë nga MVP-të e NBA-së janë europianë dhe kjo tregon sa shumë është rritur basketbolli në Europë”, deklaroi ai.

Biznesmeni italo-amerikan kritikoi gjithashtu modelin aktual të basketbollit europian, duke përmendur EuroLeague-n si një projekt jo plotësisht i qëndrueshëm financiarisht.

“Euroliga ekziston prej 26 vitesh dhe shumica e skuadrave nuk janë fitimprurëse. Ky model nuk është i qëndrueshëm”, u shpreh Cardinale.

Për këtë arsye, ai beson se klubet e mëdha europiane të futbollit duhet të bashkëpunojnë me NBA-n për të krijuar një projekt të ri basketbolli në Europë.

“Mendoj se klubet europiane të futbollit duhet të bashkëpunojnë me NBA-në dhe ta sjellin basketbollin e NBA-së në Europë. Kjo është ajo që dua të realizoj në Milano”, shtoi pronari i Milanit.

Sipas Cardinale-s, ky projekt do të ndihmonte jo vetëm në rritjen e markës Milan, por edhe në forcimin financiar të klubit dhe krijimin e mundësive të reja për tifozët.

Milani bëhet kështu një nga klubet e para të futbollit që shpreh publikisht interes për projektin “NBA Europe”, pas Paris Saint-Germain. Më herët edhe Real Madridi dhe Barcelona kishin shfaqur interes, por më pas u tërhoqën nga ideja.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments