Futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Europën dhe një ndër ta është edhe Elmir Lekaj. Mbrojtësi që luan në Sllovaki me ekipin e Kubin tregoi për këtë eksperiencë të tijën në Star Sport. Gjithashtu ai u ndal edhe tek Vllaznia ku shpreson që ekipi i tij i vendlindjes të dalë kampion në fund të sezonit.

Lekaj u shpreh: “Jam prej tre muajsh pjesë e futbollit sllovak. Atje jam pjesë e ligës së dytë me skuadrën e Kubin që është një skuadër që për momentin është brenda objektivave për mbijetesë në këtë ligë. Realisht kontrata ime është me ekipin e ligës së parë, Banska Bystrica, por jam tek Kubin që është një ekip satelit dhe për të marrë sa më shumë minuta.

Futbolli sllovak ndryshon nga ai shqiptar pasi atje luhet shumë fizikisht dhe skuadrat janë shumë të përgatitura nga kjo pjesë. Terrenet dhe kushtet janë fantastike dhe unë kam një kontratë 1-vjeçare.

Por kam një opsion në SHBA për në janar, por me siguri do e mbyll sezonin në Sllovaki duke parë që jam përshtatur tashmë dhe nga ana individuale jam i gëzuar me performancën dhe minutat që kam marrë.

Vllaznia ? Kam ende shumë miq dhe në javët e fundit më ka pëlqyer. Uroj që në fund të sezonit të ngrejë lart trofeun e titullit kampion, gjë që do lumturonte këdo në Shkodër”.

Endri ÇINARI