Pas vetëm pesë ditësh nis Botërori dhe futbolli i klubeve ndalet, ashtu siç do të ndodhë edhe në vendin tonë, pasi kur luhet një eveniment i përmasave të tilla, vëmendja e gjithë globit përqëndrohet aty.

Megjithatë, Vllaznia nuk do të pushojë shumë. Pas disa ditësh pushim, burime të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se, skuadra do të niset për fazë përgatitore në Ulqin.

Kjo do të jetë e treta nën drejtimin e Mirel Josës, pasi edhe gjatë verës u zhvilluan dy faza përgatitore të tjera, në Austri dhe në Pogradec.

Në fakt, zhvillimi i mini-fazës përgatitore jashtë vendit, si edhe merkatoja dimërore, janë dy pikat kryesore që klubi i Vllaznisë do të përqëndrohet për momentin gjatë kësaj periudhe pauze.

Të dyja kanë rëndësinë e tyre mjaft të madhe, pasi në një farë mënyre, prej tyre varet edhe e ardhmja e Vllaznisë në vazhdimësinë e dytë të pjesës së mbetur të sezonit futbollistik 2022-2023.
Maringlen ZHIVANI