Periudha e ndërprerjes së kampionatit në janar u shërben të gjitha skuadrave për të zhvilluar një stërvitje intensive në mënyrë që futbollistët të marrin “energjinë” e duhur për gjysmën e dytë të sezonit. E njëjta situatë ndodh edhe në Shqipëri ku shumë ekipe zgjedhin vende të ndryshme për të zhvilluar një stërvitje dyjavore.

Edhe tek Vllaznia mësohet se drejtuesit kanë diskutuar mundësinë për të zhvilluar një stërvitje disaditore diku jashtë vendit, por në fund është marrë një vendim tjetër. Atë e zbulon vetë trajneri Hasan Lika që në një prononcim të tij të sotëm është shprehur:

“Përsa i përket planit të stërvitjes, them se për momentin jemi në Shkodër, duke e ndërthurur me ndonjë ndeshje miqësore me ekipe të Superiores”. Përderisa për momentin do jenë në Shkodër, kjo do të thotë se ka pak gjasa që ekipi të spostohet në Mal të Zi apo diku tjetër.

Stafi teknik është duke menduar ndërkohë për të gjetur ndonjë miqësore dhe javën tjetër mund të zhvillohet e para, por ende nuk është zbuluar kundërshtari me të cilin do të luhet.
© shkodrasport.com