Suksesi i 11-të i rradhazi i ekipit të atletikës së Vllaznisë që u shpall kampion i vendit, kuptohet që nuk ka ardhur rastësisht. Një sukses që vjen nga puna e bërë çdo ditë në stërvitje nga atletët dhe po ashtu edhe nga angazhimi i trajnerëve që punojnë me to.
Pikërisht për të vlerësuar kontributin e këtyre të fundit, Federata Shqiptare e Atletikës nderoi me Çertifikatë “Mirënjohje” dy prej këtyre trajnerëve, Fatjon Serhatin dhe Dorian Tafën.
Të dy ata ndoshta nuk e kanë pritur një vlerësim të tillë dhe prandaj në prononcimet e tyre janë shprehur shumë të lumtur për këtë nderim, që sipas tyre do t’i nxisë për të punuar edhe më mirë në të ardhmen.
“Jam i emocionuar nga vlerësimi që mu bë dhe i jam mirënjohës Federatës Shqiptare të Atletikës me në krye presidentin Gjergj Ruli dhe Sportklub Vllaznia me drejtor Mark Kroqin për vlerësimin me çertifikatën e Mirënjohjes, për punën që bëjmë çdo ditë, për djersën e derdhur, mundin dhe kohën e humbur në këtë pistë. Megjithatë kur ke rezultate dhe kur merr të tilla vlerësime, të gjitha këto bien poshtë”- ka thënë trajneri Serhati.
Nga ana tjetër, Dorian Tafa ka shtuar: “Për mua ishte një surprizë e madhe që në Kampionatin e 81-të Kombëtar të atletikës, të marr një vlerësim të tillë. Ky titull i marrë nuk vjen rastësisht. Unë gjej rastin të falenderoj sportistët të cilët me talentin e tyre kanë bërë që mundi dhe sakrifica jonë të na shpërblehet me këtë titull që na bën të ndihemi mirë dhe njëkohësisht na shtyn për të bërë gjëra të mira edhe në të ardhmen”.
© shkodrasport.com