Nga Gjergj KOLA
Mundësi i Vllaznisë Amar Brahimi është nderuar me një pllakatë të veçantë nga Federata Shqiptare e Mundjes për rezultatet e arritura gjatë këtij viti. Një gjë e tillë ka ndodhur në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë dy ditë më parë teksa janë mbledhur pjestarët e komunitetit të mundjes duke akorduar edhe disa çmime.
Ka qenë presidenti Sait Prizreni ai që ka ndarë disa pllaka mirënjohjeje për sportistët që kanë pasur arritjet më të larta gjatë vitit 2025 për sportistë e trajnerë, në shenjë falenderimi dhe vlerësimi për punën e bërë dhe njëri prej tyre ishte edhe sportisti i ekipit të Vllaznisë.
Amar Brahimi ka patur jo pak suksese në garat e këtij viti, duke nisur nga ato të zhvilluara në muajin prill në Berat ku zuri vendin e dytë, për të vazhduar me garat e tetorit në Shkodër ku fillimisht zuri vendin e tretë në stilin e lirë, ndërsa në stilin klasik zuri vendin e parë në peshën 86 kg dhe njëkohësisht mori edhe kupën e sportistit më të mirë të kampionatit.
Pikërisht nisur nga këto rezultate, Federata e ka nderuar me një pllakatë të veçantë dhe padyshim që vlerësim do të shërbejë si nxitje për vazhdimin e mëtejshëm të karrierës së tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


