
Përveç fillimit të kampionatit më 24 tetor, është vendosur që merkatoja e volejbollit të shtyhet deri më 15 tetor. Kjo, për t’i dhënë mundësi kryesisë së re dhe Asamblesë së 10 tetorit të zgjidhë ngërçin e pagesës 200 mijë lekë (të reja) për transferimin e sportistëve. Gjithashtu, është miratuar që afati i fundit i federimit dhe licensimit të lojtarëve të jetë 22 tetori. Pra, veprimet e federimit do të kryhen vetëm 48 orë para fillimit të sezonit të ri. Këto vendime, që mbajnë firmën e presidentit Adrian Doçi, u janë shpërndarë të gjitha klubeve.Është miratuar edhe data e zhvillimit të Asamblesë zgjedhore të këtij sporti, që do të jetë 10 tetori (ora 11:00), po në mjediset e “Doro Hotel”. Në këto zgjedhje do të bëhet votimi si për presidentin ashtu dhe kryesinë e re të FSHV-së. Për këtë arsye, deri ditën e premte, 25 shtator, të gjitha klubet do të dërgojnë pranë Federatës së Volejbollit kandidaturat e tyre për president dhe anëtarë të kryesisë, së bashku me kurikulumet. Për t’u përcaktuar mbetet vetëm numri i mandateve, që do të mësohet së shpejti.
Sa i takon ekipeve të Vllaznisë, ata kanë kohë që kanë nisur përgatitjet dhe duket se sivjet, të dy ato, si meshkujt ashtu edhe femrat e kanë marrë më seriozisht. Tek djemtë ka afrime lojtarësh cilësorë ndërsa tek vajzat ka ardhur trajneri malazez Grabrz që pritet të rrisë cilësinë e këtij ekipi.
© shkodrasport.com