Këtë mbrëmje Barcelona do të presë në ”Camp Nou”, Vajadolidin, takim në kuadër të kampionatit spanjoll. Më shumë se loja në fushë, ajo që pritet të marrë vëmendjen maksimale në këtë takim do të jetë prania e Ronaldo Luis Nazario De Lima.

“Fenomeni” është në pronësi të pjesës më të madhe të aksioneve të Vajadolidit ndërsa mësohet se do të jetë i pranishëm në tribunën e stadiumit për të ndjekur nga afër sfidën. Kjo do të jetë hera e 4-t që braziliani do të ndjekë nga tribuna skuadrën e tij pasi braziliani shpeshherë preferon të mos udhëtojë në transfertat e ekipit.

Ndërkohë, në të kaluarën e tij si futbollist, Ronaldo, është aktivizuar në vetëm një sezon me Barcelonën ndërsa ka lënë gjurmë në Katalonjë falë mënyrës së lojës dhe golave. Ndërkohë, ka kuriozitet maksimal për mënyrën sesi do të pritet braziliani duke qenë se Ronaldo pas Barcelonës është aktivizuar edhe në radhët e rivalëve të Real Madrid.

Megjithatë, përtej të kaluarës, pritet që ”Camp Nou” t’i ofrojë një pritje të ngrohtë brazilianit pasi mbetet një figurë e respektuar për gjithçka Fenomeni i ka ofruar botës së futbollit. /vipsport/