Fernando Santos, trajner i Polonisë, është shprehur i pakënaqur nga fakti që skuadra që ai drejton, Polonia (kundërshtarja e Shqipërisë në eliminatoret e Evropianit), do të luajë një ndeshje miqësore me Gjermaninë më 16 qershor, para duelit me Moldavinë për kualifikueset e Evropianit.

Në fakt, kjo miqësore ishte planifikuar, me simbolikë, ishte planifikuar përpara se Fernando Santos të zyrtarizohej trajneri i ri i Lewandowskit me shokë, janarin e kaluar.

“Unë e njoh shumë mirë marrëdhënien mes Polonisë dhe Gjermanisë në nivel historik, kulturor, politik… Kështu që e di sa e rëndësishme është kjo ndeshje për polakët dhe e respektoj këtë.

Por ndeshja ishte planifikuar në një kohë kur unë nuk isha këtu dhe, nëse do të kisha qenë këtu, do të kisha thënë se preferoja një kundërshtar të ngjashëm me Moldavinë.

Megjithatë, së bashku me ekipin do ta përgatisim këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ish-trajneri i Portugalisë.

“Çështja kyçe për ne është kualifikimi në Euro 2024 dhe, me këtë objektiv në mendje, ne po ndjekim një plan të caktuar. Në qershor na pret një ndeshje kundër Gjermanisë, e cila është shumë e ngarkuar emocionalisht.

Duke parë thjesht në drejtim të zhvillimit të ekipit, kjo nuk është domosdoshmërisht pozitive. Kjo ndeshje nuk do të shërbejë vërtet për të provuar nëse ky ekip po evoluon apo jo.

Do të kisha zgjedhur një kundërshtar tjetër. Një që do të më ndihmonte mua dhe ekipin të zbatonim idenë time të lojës. Jo Gjermania, Brazili apo Portugalia, por një e ngjashme me Moldavinë”, përfundoi Fernando Santos, i cili në dy ndeshje në stolin e polakëve ka një fitore (me Shqipërinë) dhe një humbje (me Çekinë).