Espanjol ka siguruar dje matematikisht biletën për ngjitjen në La Liga në edicionin e ardhshëm pas vetëm një viti një kategori më poshtë dhe sigurisht për klubin katalanas ka nisur festa.

Një festë që e kanë shijuar tifozët, por edhe vetë futbollistët, me Keidi Baren i cili ka spikatur me mënyrën se si ka zgjedhur të përshëndetë tifozët.

Klubi kishte ngritur një skelë të lartë pranë stadiumit, me tifozët që u rreshtuan poshtë duke duartrokitur ekipin. Bare, duke mos marrë parasysh rrezikun që i kanosej, hipi në këmbë në këtë tip ballkoni të improvizuar dhe përshëndeti tifozët.

Për të kishte brohoritje pa fund, por në videot që qarkulluan në rrjetet sociale dëgjoheshin edhe thirrje si “Është çmendur ky tipi!” nga turma e cila shihte Baren e entuziazmuar teksa i përshëndeste.

Kjo situatë alarmoi shumë punonjës të klubit, të cilët shkuan dhe e mbërthyen menjëherë nga këmbët lojtarin, ndërsa më pas e detyruan të ulej nga ku kishte hipur pasi ishte një veprim i rrezikshëm. /vipsport/