Juljan Ahmataj ka veshur në të shkuarën fanellën e Dinamos. I ftuar i përjavshëm në studion e emisionit “Sport News Plus”, të moderatores Daljana Sejdia, në televizionin “News 24”, në rolin e analistit, ai i ka uruar mirëseardhjen në elitë klubit kryeqytetas duke u shprehur:

“I kam ndjekur javët e fundit të Dinamos, ka qenë një sadisfaksion i veçantë. Do të rikthehen derbet që kanë munguar për disa vite. Duhet të merremi me atë çfarë e pret Dinamon. I duhet një shtëpi e re, më pas do të vijmë te skuadra dhe rezultatet, Dinamo është një akademi futbolli.

Meritë kanë ata që e kanë mbajtur këtë klub të shenjtë. Duhet t’i harrojmë këto 9 vite që Dinamo nuk ka qenë pjesë e elitës, futbolli shqiptar po e pret Dinamon me shumë dëshirë. Tani jeta e futbollit në Tiranë vjen e kompletuar, duke i bashkangjitur edhe Dinamon.

Projekti është serioz, Dinamo nuk vjen për të kaluar radhën. Plani kryesor është shtëpia dhe padiskutim afrimi i lojtarëve. Ata përfaqësojnë çdo hallkë të këtij institucioni. Çdo gjë do të fillojë nga e para. Shumë pak lojtarë nga këta që mbyllën edicionin do të vazhdojnë, do të ketë një ndryshim në masë. Ky obligim është detyrë për skuadrën.

Trajneri elbasanas foli edhe për situatën aktuale në Kategorinë Superiore duke u shprehur:

“Teuta nëse merr maksimumin e pikëve në 2 javët e ardhshme, është 99% kampione. Javën e parafundit luan në Laç, edhe sikur të mundet, pret Fierin në shtëpi. E bukura e këtij kampionati është që të 5-ta skuadrat janë në garë matematikisht për vendin e parë”, përfundoi Ahmataj.