Lacio e shqiptarëve ka triumfuar në Kupën e Italisë pak ditë më parë por një tjetër Lacio e mbushur me shqiptarë ka festuar po sot një trofe të rëndësishëm.

Bëhet fjalë për ekipin e të rinjve të skuadrës italiane, i cili ka në radhët e tij shumë futbollistë që veshin fanellën e përfaqësueseve shqiptare të moshave dhe që e kanë ndihmuar të fitojë kampionatin e Primavera B.

Portieri Marko Alia, mbrojtësi Serxhio Kalaj dhe mesfushorët Emiliano Shoti e Galip Arapi kanë dhënë vazhdimisht kontributin e tyre në radhët e Lacios në këtë sezon dhe kanë ndihmuar që ekipi i drejtuar nga ish-futbollisti i njohur italian, Valter Bonaçina, të fitonte titullin në këtë kampionat dhe të kthehej përsëri në elitën e kampionatit të të rinjve.

Në finalen e sotme ndaj Spal, në fushë ishte portieri Alia, i cili u bë protagonist me disa pritje vendimtare, duke ndihmuar skuadrën e tij të fitonte 2-1 dhe të siguronte kësisoj një trofe të rëndësishëm për klubin.

Kjo konfirmon punën e mirë që ka bërë Igli Tare edhe në akademi duke afruar futbollistë shumë të talentuar që premtojnë për të ardhmen, mes të cilëve padyshim është edhe grupi i shqiptarëve. /vipsport/