Klubet shqiptare vazhdojnë të koleksionojnë çështje të humbura para paneleve disiplinore të FIFA-s, me masa ndëshkimore të cilat vijnë si zakonisht për shkeljet që kanë bërë sa u përket pagesave të ish-futbollistëve apo trajnerëve.
Këtë javë, FIFA i ka shtuar një tjetër klub shqiptar listës së skuadrave në vendin tonë që kanë merkaton e bllokuar. Pas KS Luftëtarit të vjetër që ekziston vetëm në letër, Orikut, Kastriotit dhe Valbonës, merkatoja i është bllokuar edhe një klubi me pretendime në Kategorinë e Parë, Besës.
Që nga data 1 tetor, merkato e Besës është bllokuar për mospagesën e detyrimeve ndaj një pale të tretë, në një çështje të shqyrtuar nga FIFA që i ka dhënë të drejtë ankimuesit në dëm të klubit shqiptar.
Kësisoj, kavajasit do të duhet të bëjnë pagesën e prapambetur në janar, nëse duan që të bëjnë përforcime për të rikuperuar terrenin e humbur në pjesën e parë të kampionatit që e nisën me pretendime për ngjitjen në Superiore, por ku janë shumë larg vendeve të kreut.