Bledi Shkëmbi nuk pranon mendimet se ka qenë faji i tij që Dinamo këtë sezon është shumë pranë rikthimit në Kategorinë e Parë. Ish-trajneri i bluve, i ftuar në studion e “Sport News” në “News 24”, ka treguar pikëpamjet e tij rreth asaj që shkoi keq në klubin kryeqytetas.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, Shkëmbi shpjegoi se ku ishsin gabimet dhe se pse disa iniciativa për të ngritur një bord drejtues me ish-figura të klubit, nuk kishin kuptim në mënyrën se si menaxhohej futbolli në ditët e sotme.

“Në fillim kishim shumë entuziazëm por edhe shumë besim. E pranoj që ndoshta e tepruam pak me dëshirën e madhe për të dalë kampion, por e kam thënë që dëshira ishte diçka tjetër dhe trysnia nuk ishte aq e madhe në fillimin e kampionatit për të dalë kampionë. Por duke parë si shkuan punët, kjo dëshirë e madhe, krijoi trysni dhe e mendoj tani që ishte një gabim që nuk duhej ta kishim bërë të gjithë bashkë. Por nga dëshira e madhe për ta parë Dinamon lart, të gjithë bashkë thamë diçka gabim.

Në atë që nënkupton futbolli, unë kam pasur dorë të lirë, por ajo nënkuptohet edhe me mundësitë për të përzgjedhur lojtarët, nga ana financiare e momentit, merkatos, futbollistëve që ishin të lirë. Jemi të bindur që kemi bërë merkaton më të mirë të mundshme duke i pasur parasysh të gjitha këto.

Dëgjoj shumë specialistë në studio që vënë pikëpyetjen te merkato, por jam i bindur që të gjithë këta specialistë kanë dashur që të bëhen trajnerë të këtij ekipi. Ekipi me emra është në nivel të mirë, nuk diskutohet që nuk ishte ekip për të luftuar për të mos rënë nga Superiorja. Por mendoja se do të ishte një ekip i cili si vitin e parë të ishte një sukses i madh të luftonte për të shkuar në Europë.

Respektoj të gjithë ish-futbollistët, jo vetëm të Dinamos, sepse mendoj se kanë luajtur një futboll më të vështirë se sa ne tani, nuk kanë fituar asgjë përveç emrit, ndërsa tani është ndryshe. Por nuk mund ta imagjinoj unë të kërkoj llogari të Skënderbeu pse po bie nga kategoria e më pyesni mua, unë e quaj jologjike. Ndoshta e mendoj më ndryshe nga të tjerët. Nuk e diskutoj që të gjithë donim që Dinamo të dilte kampion, të ishte ekip i mirë. E treguam në fillim, por për disa arsye për të cilat nuk mund të zgjidhen me një emision apo brenda shumë javësh, nuk shkuan gjërat siç mendohej.

Nuk dua të gjykoj trajnerët që erdhën pas meje. Në fillim të sezonit synimi ishte të luanim në Europë. Largimi im nga skuadra ishte pasi po largoheshim nga ky objektiv, mendova që ekipit i duhej një ndryshim. Me presidentin menduam që e mira ishte të largohej trajneri e ekipi të vazhdonte me trajnerin tjetër duke pasur synim Kupën, se ishim në rrugë të mirë në atë turne.

Pastaj në futboll gjërat nuk dalin si i mendon dhe sinqerisht më vjen keq dhe ndjej deri diku përgjegjësi për këto pozita. Por nuk mund të ndjej përgjegjësi për gjëra që duan të më japin të tjerët, që Dinamo është në këtë pozitë për fajin tim, se kanë kaluar dy faza dhe janë luajtur shumë ndeshje që atëherë.

Eksperienca me Dinamon është një eksperiencë e mirë për mua si trajner i ri që kam mësuar shumë, si gjëra pozitive e negative personale, kam mësuar edhe si është një marrdhënie në klub me njerëz me të cilët duhet të jesh i kujdesshëm me disa gjëra. Më vjen keq për Dinamon, por nuk mendoj se më krijon ndonjë dëm të madh.

Tifozët? Ajo që më vjen keq është se i pashë shpejt të dorëzuar në klub, nga njerëz brenda klubit që dalin në studio e ofendojnë lojtarët, kjo do të thotë dorëzim.

Nuk mund të dalësh dhe këta lojtarë që pretendon të të shpëtojnë, ti t’i ofendosh. Kjo do të ishte këshilla ime, shpresoj të ndryshojnë këta lojtarë vetë për veten e tyre, se mendoj se ata kanë shumë përgjegjësi për situatën, kanë mundësi që nga ndeshja në ndeshje të rikthehen. Për fat të keq përsëri nuk arritën të fitojnë apo marrin pikë”, tha ndër të tjera Shkëmbi.