Gjatë ditëve të fundit në Kosovë dhe jo vetëm është folur gjatë për suksesin e ekipit të Vushtrrisë që u shpall kampion i kategorisë së parë duke siguruar edhe ngjitjen në Superligë.

Pjesë e rëndësishme e këtij suksesi padyshim që është edhe trajneri i saj, shkodrani Samuel Nikaj. Megjithatë ai duket se kërkon të jetë modest duke e ndarë këtë sukses me të tjerët dhe duke veçuar sidomos drejtorin teknik Arian Imeri.

“Në suksesin tonë të këtij sezoni padyshim që kanë meritë të gjithë, duke filluar nga presidenti i ekipit, për të vazhduar me futbollistët që kanë sakrifikuar jo pak dhe pa lënë mënjanë edhe tifozët tanë të zjarrtë që na kanë mbështetur fuqimisht gjatë gjithë kohës.

Por unë dua të ndalem tek një person tjetër me të cilin kam bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer në aspektin teknik dhe atë sportiv. Bëhet fjalë për drejtorin sportiv Arian Imeri, i cili ka një kontribut shumë të madh në këtë sukses.

Ai ka meritën kryesore në merkaton e janarit sepse solli në skuadër lojtarë cilësorë dhe po ashtu edhe në vazhdim kemi patur bashkëpunim të shkëlqyer gjatë gjithë kohës”- thotë Nikaj në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”.

Por ndërkohë të dielën në Vushtrri do të zhvillohet festa e madhe e shpalljes kampion i kësaj skuadre dhe njeriu i ngarkuar për të organizuar këto festime është pikërisht drejtori Imeri. Sipas trajnerit Nikaj, pritet të jetë një festë shumë e bukur.

“Besojmë se do të jetë një festë shumë e bukur. Drejtori Imeri dhe stafi tjetër i klubit janë duke u angazhuar maksimalisht që gjithçka të jetë perfekte në këtë festë sepse kjo skuadër dhe ky qytet e meriton një festë të tillë”- ka thënë ai.
© shkodrasport.com