Një futbollist shkodran është në finale të Kampionatit Europian. E kemi fjalën për portierin Marco Molla i cili duke përfaqësuar Italia U17 sot ka fituar të drejtën për të qenë në finale e për të diskutuar fitoren e këtij trofeu të rëndësishëm ditën e dielë ndaj Hollandës.

Mbrëmjen e sotme Italia U17 ka zhvilluar ndeshjen gjysmëfinale ndaj Francës me të cilën ka fituar me rezultatin 2-1. Për italianët në portë ka qenë sërish Molla për 90 minuta duke bërë një tjetër paraqitje të shkëlqyer.

Në fakt ka qenë Franca ajo që ka kaluar e para në avantazh në minutën e 41-të me anë të Millot por në minutën e 46-të ka qen Espozito që ka barazuar shifrat.

Ndërkohë në minutën e 81-të ka qenë Udogie që ka shënuar golin e dytë për axurrët dhe kësisoj i gjithë takimi është mbyllur me fitoren 2-1 të Italisë e cila në këtë mënyrë ka siguruar finalen.

Ajo do të zhvillohet ditën e dielë në Dublin përballë Hollandës, skuadrës tjetër finaliste që sot fitoi 1-0 ndaj Spanjës.

Molla në këtë mënyrë është shumë pranë një arritje historike, shpalljes kampion Europe. Një hap shumë i rëndësishëm ky për karrierën e këtij 16 vjeçari që deri para pak muajsh mbronte portën e kombëtares shqiptare ndërsa sot po luan me shumë sukses me Italinë dhe karriera e tij duket se po kap majat.
© shkodrasport.com