Klaus Gjasula ndërron skuadër, por jo kampionat. Mesfushori i Kombëtares dje është prezantuar si futbollisti më i ri i Darmshtadit, skuadër që militon në Bundesligën e Dytë gjermane. “Gladiatori” kuqezi përfundoi para kohe kontratën me Hamburgun, për të nënshkruar deri në verën e vitit 2023 me skuadrën që kërkon t’i largohet fundit të klasifikimit pas javëve të para.

AKORDI

Gjasula ka nisur zyrtarisht aventurën e re, teksa pas vizitave mjekësore dhe detajeve të fundit në kontratë, ka firmosur dhe është prezantuar si futbollisti më i ri i Darmshtadit, duke u larguar nga Hamburgu, pjesë e të cilit kishte qenë në edicionin e kaluar.

Mesfushori kuqezi nuk arriti që të shprehte te Hamburgu të gjitha cilësitë e tij, i ndalur nga dëmtimet e për këtë arsye, humbi vendin mes titullarëve në një sezon që ai vetë e ka cilësuar si më të dobëtin e karrierës. Por, tashmë nis një aventurë e re me këtë ekip të Bundesligës 2, ku ai ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.

PREZANTIMI

Gjasula, në ambientet e klubit, për faqen zyrtare të tij ka thënë edhe fjalët e para. “Pasi fola me personat përgjegjës, u binda shpejt se transferimi te Darmshtad ishte i duhuri për mua. E kam parë këtë klub gjithmonë si një që punon jashtëzakonisht shumë për të arritur objektivat.

Kjo përputhet 100% me sjelljen time dhe rrugëtimin që kam pasur deri tani. Kam biseduar me shumë persona për këtë klub dhe më kanë thënë vetëm fjalë pozitive, ndaj nuk hezitova për të pranuar menjëherë. Darmshtad dihet që është një skuadër e cila ndërton projekte cilësore për të arritur objektivat e veta”, tha Gjasula për faqen e klubit pas firmës që e mban të lidhur me ekipin deri në vitin 2023, teksa do të mbajë mbi shpinë numrin 23.

DREJTORI

Nuk kanë munguar elozhet për të as nga drejtori sportiv, Karsten Vehlman. “Me Klausin kemi siguruar një lojtar, i cili do të na ndihmojë me mentalitetin dhe volumin e tij. Ai është një person që dëshiron ta kesh në krahun tënd si shok skuadre dhe nuk do ta takosh si kundërshtar në fushë. Ai ka treguar sa vlen në Bundesligën 1 dhe 2 si dhe me Kombëtaren e Shqipërisë”, tha Vehlman pas prezantimit të Gjasulës.