Sunday, February 22, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORE'Finale' për titullin, tifozët kuqeblu gati për të mbushur 'Loro Boriçin'

‘Finale’ për titullin, tifozët kuqeblu gati për të mbushur ‘Loro Boriçin’

Shkruar nga Endri ÇINARI

Java e 19-të e kampionatit sjell në “Loro Boriçi” një përballje që për Vllazninë merr vlerat e një finaleje të parakohshme. Përballë Egnatias, kampioneve në fuqi, kuqeblutë e drejtuar nga Edi Martini do të kenë në krah një armë të fortë: tifozërinë shkodrane.

Sinjalet janë të qarta se mbështetësit nuk do të mungojnë në këtë sfidë vendimtare. Ndryshe nga ndeshja e Kupës ndaj Pogradecit, ku prania në stadium ishte e kufizuar, të mërkurën pritet një numër dukshëm më i lartë tifozësh në shkallët e “Loro Boriçit”.

Edhe pse bëhet fjalë për një takim në mesjavë, kushtet atmosferike pritet të jenë në favor të futbollit. Moti i qëndrueshëm, pa reshje shiu dhe me temperatura relativisht të buta për këtë periudhë të vitit, duket se do t’i nxisë tifozët shkodranë të jenë pranë ekipit të tyre, duke dëshmuar edhe një herë se Vllaznia nuk mbetet kurrë vetëm.

Por arsyeja kryesore e mobilizimit lidhet me rëndësinë e madhe të këtij takimi. Përballja me Egnatian mund të rezultojë vendimtare për fatet e sezonit 2025–26, si në aspektin e objektivave, ashtu edhe në aspektin psikologjik për vazhdimësinë e kampionatit.

Në një ndeshje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën, prania e tifozëve pritet të shndërrohet në shtysë shtesë për kuqeblutë, të cilët synojnë të kthejnë “Loro Boriçin” në një fortesë dhe të hedhin një hap të madh drejt objektivave të tyre sezonale.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments