Nga Endri ÇINARI
Kampionati shqiptar tashmë ka hyrë në dy javët më emocionuese të sezonit. Kjo pasi do luhen ndeshjet e “final 4”, duke nisur që nga dita e sotme. Në orën 20:00, në “Air Albania” do zbresë çifti Partizani-Skënderbeu. Një duel që në vitet e shkuara është luajtur shpesh për titull. Ku korçarët e viteve të arta rivalizoheshin fort nga të kuqtë.
Por, sot gjërat kanë ndryshuar shumë sepse Skënderbeu nuk është ai ekip që kualifikohej në grupet e Europa League. Por, një skuadër me të rinj premtues që me të vërtetë zhvillojnë një futboll interesant. Ata u cilësuan si një surprizë që arritën të futeshin në “final4”, duke lënë jashtë ekipe shumë të investuara si: Tirana apo edhe Dinamo.
E sonte, bardhekuqtë nuk kanë se çfarë të humbin dhe do tentojnë gjithçka për arritjen në finalen e madhe. Nga ana tjetër është Partizani, ku “demat” janë fituesit në fuqi të kampionatit.
Ambiciet e tyre këtë edicion janë që ti shkojnë deri në fund për të marrë triumfin final. Me barazimin që i favorizon dhe me ndeshjen që luhet në Tiranë, patjetër që 17 herë kampionët shikohen si superiorë ndaj korçarëve.
Megjithatë statistikat e sezonit të rregullt në Superiore tregojnë që Skënderbeu ka pasur një formë më të mirë në duelet direkte. Me dy fitore të “ujqërve”, 1 triumf të Partizanit dhe një duel që është mbyllur në barazim mes dy skuadrave. Një 90 minutësh në “Air Albania” sonte, për të siguruar biletën e parë të finales që do zhvillohet në datën 26 maj./www.shkodrasporr.com/