Kanë mjaftuar 90 minutat e fundit të sezonit 2018-2019, ato të finales së kategorisë parë ndaj Bylisit, për të rikonfirmuar edhe njëherë problemet e Vllaznisë.

Mbase mund të jenë të njëjtat që e çuan këtë skuadër në këtë kategori, por ndoshta ato edhe kanë agravuar më shumë.

Mungesë impenjimi totale e thuajse të gjithë lojtarëve, a thua se kishin hyrë me zor në fushën e lojës e kjo u reflektua edhe në sjelljen e tyre ndaj kundërshtarit.

Askush nga shkodranët nuk mendon se Bylis “vodhi” gjë. Ai e meritoi plotësisht trofeun dhe premion e akorduar nga FSHF për ekipin kampion

Ndërsa futbollistët kuqeblu treguan se “kishin marrë me kohë pushimet” dhe nuk e kishin mendjen aspak tek sfida në fushën e lojës. Një absurditet që nuk u shkon për shtat atyre sepse konsiderohen profesionistë.

Një sjellje e tillë padyshim që do të vërë në lëvizje edhe drejtuesit e klubit që me siguri nuk do të bazohen shumë tek ato për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri. Kjo sepse ata mund ta lënë sërish në baltë Vllazninë dhe krejt kollaj mund të kthehet sërish andej nga erdhi.
© shkodrasport.com