Mjaftuan 5 fitore në 5 takimet e para në stolin e Mançester Junajtid dhe Ole Gunar Solskjaer u bëri futbollistëve të tij një surprizë të këndshme menjëherë pas ndeshjes së Fa Cup. Ai vendosi që skuadra të udhëtojë drejt Dubait, ku do të qëndrojë për 4 ditë dhe do të shfrytëzojë temperaturat e ngrohta atje, për të kryer disa seanca stërvitore.
Vendimi i trajnerit dhe klubit, për t’u spostuar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, u mirëprit nga futbollistët e “Djajve”, të cilët përveç stërvitjes, do të kenë mundësi të shijojnë edhe rrezet e diellit në shtetin arab.
Në fotot e shkrepura në aeroport, pak para nisjes për në Dubai, binte në sy mungesa e yllit të skuadrës, Paul Pogba, ndërsa ende nuk dihen arsyet pse francezi nuk ka udhëtuar me skuadrën.
Ka mjaftuar kaq, që mediat angleze të hedhin hipotezat e një largimi të mundshëm të kampionit të botës nga klubi i kuq. Megjithatë mbetet për t’u parë, merkato sapo ka nisur dhe ofertat për yllin francez nuk kanë munguar asnjëherë… /vipsport/