Nga Endri ÇINARI
Në takimin e fundit të fituar ndaj Bylisit në shifrat 0-1 në kuadër të javës së 7-të të Superiores, Vllaznia vuajti edhe mungesën e 5 futbollistëve. Kështu një mungesë e sigurt në mbrojtje ishte Elmando Gjini, i cili kishte plotësuar numrin e kartoneve . Me shtatlartin që do rikthehet në dispoziocionin e Martinit që nga ndeshja e rradhës në kampionat kundër Tiranës. Por, mungesa për kuqeblutë ishin edhe Bismark e Qato, me dyshen që ka më shumë se një muaj jashtë fushave të lojës.
Teksa në kohë për sfidën nuk arriti të rikuperohej në kohë as Murataj, me fantazistin i cili nuk u rrezikua aspak ndaj mallakastriotëve. Dhe një përmirësim i gjendjes së tij fizike pritet gjatë kësaj jave. E po ashtu për 9 herë kampionët e vendit mungoi edhe Dros, ku moldavi vetëm pak orë para zhvillimit të sfidës shfaqi një problem muskulor. Ku ish-mesfushori i Elbasanit ishte parashikuar si titullar në këtë ndeshje ndaj Bylis. Në këtë mënyrë Martini u “detyrua” të bënte pa 5 futbollistë në një transfertë mjaft delikate.
Ku duhet theksuar se nga të munguarit, shumica prej tyre mund të konsiderohen titullarë dhe pika të forta në formacionin kuqeblu. Megjithatë në fushën e lojës kundër Bylis, mungesat e këtyre futbollistëve u ndjenë shumë pak, me lojtarët e tjerë që zbritën në fushën e lojës të cilët dhanë nivelin e duhur. Duke ndihmuar skuadrën të merrnin atë çfarë kishte më shumë rëndësi, sigurimin e 3 pikëve dhe “thyerjen” e tabusë së fitimit të ndeshjeve jashtë për Vllazninë.
Patjetër ky fakt kënaq trajnerin Martini dhe stafin e tij teknik. Kjo pasi skuadra pavarësisht mungesave, në stol ka me të vërtetë futbollistë që kanë pak diferenca me ata që mund të konsiderohen si titullarë. Në këtë mënyrë skuadra është e plotësuar dhe garanton një ecuri pozitive pavarësisht mos prezencës së disa futbollistëve të rëndësishëm në formacionin startues.(www.shkodrasport.com)